
NDRYSHIM KA
(Hanife Malës)
Ka një ndryshim
ne mes te Penelopës greke
dhe Penelopës shqiptare
një ndryshim megjithatë ka:
Penelopa greke priste njerinë –
Penelopa shqiptare pret lirinë.
Ka një ndryshim
Në mes të Penelopës greke
dhe Penelopës shqiptare,
një ndryshim megjithatë ka:
grekja priste burrin, që në rrugë të gjatë ish tretur –
shqiptarja s’e pret më, se ai rrugën e kish gjetur.
Ka një ndryshim
Në mes te Penelopës greke
dhe Penelopës shqiptare
një ndryshim megjithatë ka:
ajo rriste një djalë qe ta gëzonte burrin e vet –
kjo rrit nje vajzë qe t’i ngjaje t’et.
Ka një ndryshim
ne mes të Penelopës greke
dhe Penelopës shqiptare,
një ndryshim megjithatë ka:
e para priti njezet vjet –
e dyta pret perjetë.
Ka një ndryshim
ne mes të Penelopës greke
dhe Penelopës shqiptare,
një ndryshim megjithatë ka:
shokët e burrit të Penelopës greke ranë të gjithë në pritë –
shokët e burrit të Penelopës shqiptare lindin ditë per ditë.
Penelopa greke priste njerinë
Penelopa shqiptare pret lirinë.
Ketu, megjithatë, ndryshim ka.
©Avni Klinaku, 1990