SHTEPIA E REXHEP MALAJT – Gjilan, rruga A. Presheva nr. 80

Pjesë nga fjalë e Mehmet Hajrizit në oborrin e kësaj shtëpie – janar-2023 (video-regjistrim) « Jemi para një shtëpie Monument. Kjo shtëpi ishte bazë e veprimtarisë Ilegale. Ishte bazë në katin e epërm, ishte bazë në katin e poshtëm, ishte bazë në podrum, ishte bazë edhe nën dhe. Madje edhe një pus që ishte këtu afër ishte thyer në bazë. Baza të fshehjes e raujtjes së materialit kishte edhe gjithandej nën dhe nëpër oborr dhe në shtëpinë e vjetër. Pra ishte kthyer në bazë gjithë ky truall që dikur nuk kishte ndonjë rëndësi kur ishte ndërtuar kjo shtëpi por që tashmë ka marrë karakterin e një toke të shenjtë. Vijnë këtu për të marrë kurajo, për të marrë energji, për të marrë dije, për të marrë guxim, për tu njohur me një veprimtarë e më shumë veprimtarë të kësaj familje dhe për të marrë shembullin se si duhet të duam atdhenë, si duhet të luftohet për të dhe si duhet të vdesim në fund për të në qoftë se këtë e kërkon ai atdhe, vdekjen tonë.

Disa nga aktivitetet e ngjarjet që janë zhvilluar në këtë shtëpi:

• Në këtë shtëpi janë përgaditur dhe janë shkruar parollat për demonstratën e madhe të 27 Nëntorit të vitit 1968 në Gjilan. Me 26 Nëntor është mbajtur takimi përfundimtar i organizimit të kësaj demostrate ku nder të tjera është vendosur pankartat që do të mbahen në demonstratë, përmbajtja e parollave që do të thirren gjatë demostratës, kush do të mbaj dhe të siguroj mbrojtjen e flamurit kombëtar, etj. Disa nga të pranishmit kanë qenë: Rexhep Malaj, Irfan Shaqiri, Fatmir Salihu, Shemsedin Kastrati, Nijazi Korça, etj.

• Këtu janë përgaditur, shkruar e shumëzuar traktet e ndryshme që pastaj janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë si dhe në Preshevë e Bujanoc.

• Në vitin 1978 në këtë shtëpi është formuar nga Hasan Malaj qelula e parë e grave të organizuara në levizjen e klandestinë të asaj kohe. Qelula është përbërë nga Teuta Bekteshi-Kumanovë, Teuta Hadri – Gjakovë dhe Remzije Limoni – Gjilan, që të tria studente.

• Në këtë shtëpi është mbajtur takimi në mes të Ilmi Ramadanit dhe Rafi Halilit nga Tetova (me porosi të Rexhep Malajt nga burgu, pasi që Rafi Halilin e kishte njohur në burgun e Idrizoves) ku është vendosur dhe ka filluar bashkëpunimi me organizatën klandestine të shqiptarëve në Maqedoni që e udhëheqte Rafi Halili.

• Në këtë shtëpi deshmori Nuhi Berisha ka qëndruar ilegal nga qershori deri më gusht të vitit 1983.

• Në maj të vitit 1984, gazeta e Beogradit Politika shkruan një fejton në disa vazhdime për Rexhep Malaj si dhe shtëpinë e tij, ku ilustrohen materialet „armiqësore“ që janë konfiskuar dhe specifikohen „veprimtaria armiqësore kundër shtetit“ që është organizuar në këtë shtëpi. Në gazetë jepen edhe foto të shtëpisë si dhe bazës e materialeve që janë zbuluar nga policia.

• Gazeta „Mladina“ e Lubjanës (viti-1988-1989?) i kushton një artikull Rexhep Malajt dhe shkruan për këtë shtëpi.

• Personalitete dhe figura të rëndësishme që kanë vizituar dhe kanë qëndruar në këtë shtëpi nëpër kohë të ndryshme: Metush Krasniqi, Ramiz Cernnica, Mumin Jakupi, Sabit Qazimi – Llashtica, Sadri Misini-Shipashnica, Afrim Zhitia, Afrim Fazliu, Agron Rrahmani, Adem Demaçi etj. Dhe shumë e shumë e veprimtarë të asaj kohe – shoqë të Rexhep Malaj, disa prej tyre tani me deshmorë të rënë në periudha të ndryshme të përpjekjeve për liri: Kadri Zeka, Zija Shemsiu, Isa Kastrati, Gani Syla, Jakup Krasniqi, Ilmi Ramadani, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi etj.

• Në përfundimin e luftës shtabi i zonës së Karadakut në qershor të vitit 1999 vendoset në kët

ë shtëpi dhe për tre javë kjo shtëpi ishte Selia Qendrore e Komandës së Zonës Operative të Karadakut me komandant Ahmet Isufin.

• Në këtë shtëpi ndodhet bunkeri i ndërtuar nga Rexhep Malaj dhe bashkëveprimtari i tij Ilmi Ramadani i ndërtuar në vitin 1973, i pazbuluar asnjëherë nga policia jugosllave edhe pse kjo shtëpi është bastisur e kontrolluar më shumë se dhjetë herë nga UDB-a jugosllave.

• Në këtë shtëpi pas luftës janë zbuluar edhe baza të tjera të ndenjeshme dhe materiale të vendosura nga Rexhep Malaj. Një pjesë e vogël e bazave dhe materialeve janë zbuluar edhe nga policia jugosllave gjatë bastisjeve dhe kontrolleve të ndryshme. Bazat tjera përveç bunkërit janë këto: Baza brenda bunarit, bazat nën dhe të dyert e oborrit, baza nën dhe në një nga dhomat në shtëpinë e vjetër, baza në ahur në shtëpinë e vjetër.

Bastisjet dhe Kontrollet:

1. Pas demonstratës së nëntorit 1968 bastiset kjo shtëpi, arrestohet Rexhep Malaj 17 vjeçar dhe pas mbajtjes së dy muajve burg për organizimin e demonstratës edhe përjashtohet nga shkolla e mesme në Gjilan. Gjimnazin e vazhdon në Preshevë.

2. Shtëpia bastiset për herë të dytë, pas shkuarjes së Rexhep Malajt ilegal në Shqipëri dhe qëndrimit atje për gati dy muaj, organet kompetente të Shqipërisë e kthejnë përsëri në Kosovë me ç’rast arrestohet dhe përsëri në Nëntor të vitit 1970 i kontrollohet shtëpia nga UDB-a jugosllave.

3. Në Janar të vitit 1974, Rexhep Malaj arrestohet përsëri. Kësaj radhe në konviktin e studentëve në Prishtinë dhe denohet me 30 ditë burgim. Edhe kësaj here nuk shpeton pa u bastisur shtëpia e tij në Gjilan.

4. Me 23 maj të vitit 1975 forca të mëdha të policisë dhe inspektore të UDB-së ende pa zbardhur dita ia mesin shtëpisë së Rexhep Malaj. Edhe këtë herë arrestohet Rexhep Malaj dhe në procesin gjyqësor denohet me 9 vite burgim, në të ashtuquajturin grupin e Adem Demaçit.

5. Pas demonstratave të vitit 1981 edhe një bastisje nga ana e policisë në këtë shtëpi. Kësaj radhe kërkohet të burgoset vëllau i Rexhepit, Hasan Malaj. Hasani emigron në Zvicër dhe nuk kthehet nga atje deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999.

6. Edhe pas burgosjes dhe denimit të Rexhep Malajt, kësaj shtëpie nuk i ndalet zullumi nga UDB-a jugosllave. Bastiset prap me 9 shkurt të vitit 1982 dhe arrestohet Ali Malaj, 17 vjeçar dhe denohet me 1 vit burgim.

7. Në tetor të vitit 1983 vetëm 4 muaj pas daljes nga burgu të Rexhep Malaj forca të mëdha të policisë speciale jugosllave, ta paisura me helmetë e antiplumb rrethojnë shtëpinë në errësirën e natës ende pa aguar dita dhe pastaj bëjnë edhe kontrollin e bastisjen me synim për të arrestuar Rexhep Malaj i cili tani me ishte në ilegalitet. Në këtë bastisje udba-shi Ali Vllasi pasi që e mban për gati dy orë në oborr në mot të ftohtë vetëm në pizhama babain e Rexhepit, Mehmet Malajn, i thot atij « Rexhepi është përgaditur dhe armatosur por ne do ta vrasim atë ».

8. Natën në mes të 11 dhe 12 janarit të vitit 1984 Rexhep Malaj bashkë me Nuhi Berishën pasi një rrethimi të hekurt në Kodrën e trimave në Prishtinë duke mos u dorëzuar bien në një luftë të pabarabartë. Dita e 12 janarit inspektore të UDB-së kujdesen që të vizitojnë përsëri shtëpinë e Malajve për të dhënë lajmin e vrasjes së Rexhepit.

9. Me 7 dhjetor të po këtij viti (1984) policia rrethon dhe bastis këtë shtëpi. Kësaj radhe arrestohet Rexhije Malaj, dhe për shkak të shkurtjes së saj ilegale në Zvicër për të vizituar bashkëshortin dhe djalën e saj denohet me 2 vjet burgim.

10. Vetëm 11 ditë më vonë me 18 dhjetor 1984 arrestohet në shkollë edhe djali i Rexhie Malaj, Naim Malaj dhe denohet me 1 vit burgim. Naimi i kishte 16 vjet. Edhe me këtë rast bastiset shtëpia.

11. Shtëpia kontrollohet përsëri në Nëntor të vitit 1986. Pa i mbushur një vit që prej daljes së burgut, Naim Malaj arrestohet përsëri, kësaj radhe si 18-vjeçar dhe denohet nga 1-5 vite burg. Ai mbahet në burg nga nëntori i vitit 1986 deri në muajin prill të vitit 1989.

12. Në vitin 1988, edhe një bastisje tjetër. Arrestohet vajza e kësaj familjeje, Shqipe Malaj. Pas mbajtjes për disa ditë, ajo llirohet nga arresti.

13. Bastisja e fundit në këtë shtëpi ndodh në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, ku forcat e perziera policore, ushtarake dhe paramilitare kontrollojnë, përmbysin dhe shkatërrojnë çdo gjë në shtëpi. Prezente në shtëpi ishte vetëm Fitorja, vajza e Rexhep Malaj, bashkë me dy vajzat e saj të vogla Rrezen dhe Lendinen.

Përveç bastisjeve, kjo shtëpi ka pasur vizita të vazhdueshme të udhëheqësve të UDB-së dhe policisë, duke shqetësuar dhe mbajtur vazhdimisht nën presion këtë familje, duke kërkuar informacion për anëtarët e kësaj familjeje që ishin në Zvicër. Edhe fëmijë të tjerë, anëtarë të kësaj familjeje, persekutohen: përjashtohen nga shkolla, nuk pranohen në fakultete, ju ndalohet të pajisen me pasaporta, merren në lokalet e UDB-së për “biseda”, nuk lejohen të marrin pjesë në gara shkollore në nivelet komunale dhe krahinore, përtej aftësive dhe sukseseve të tyre, etj.

**REXHEP MALAJ** 

Për veprimtarinë e Rexhep Malajt ka shumë doreshkrime, artikuj gazetash dhe janë shkruar disa libra siç janë: 

– *«Rexhep Malaj – Anteu i Levizjes Ilegale»* – Selatin Novosella 

– *«Qendrështarët – Rexep Malaj – Nuhi Berisha»* – Basri Musmurati 

– *«Rexhep Malaj – zjarr luftë që nuk shuhet»* – biografi – Agim Sylejmani 

– *«Rrugetimi i një vigani»* – roman- Agim Sylejmani 

– *«Rexhep Malaj, në shkresat interne të UDB-së»* – Agim Sylejmani 

Me 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e çlirimit të Gjilanit, në qendër të qytetit zbulohet shtatorja e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishes. Me 26 Nëntor 2010, Rexhep Malaj i jepet «Urdhri Hero i Kosovës» nga Presidenti i Kosovës. Me 8 qershor 2012, Presidenti i Shqipërisë ndan për Rexhep Malen “Medaljen e arte të Shqiponjës”. Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 2012, në oborrin e shtëpisë së Rexhep Malaj zbulohet pllaka që simbolizon vendosjen e Shtabit të UÇK-së pas luftës në këtë shtëpi. Pas luftës, një rrugë në Prishtinë i vendoset emri “Rexhep Malaj” dhe në vendin e vrasjes në “Kodrën e Trimave” vendoset një pllakë që shënon këtë ngjarje. Rruga me emrin e Rexhep Malaj ka edhe nëpër qytete tjera të Kosovës, si Ferizaj, Fushe Kosovë, Kamenicë etj. Shkolla e fshatit Topanicë – komuna e Kamenicës mban poashtu emrin e Rexhep Malajt.

Kësaj shkresë po i shtojmë edhe foto të ndryshme që dëshmojnë këto që janë shkruar më lartë, si: dokumente të lëshuara me rastin e bastisjeve të shtëpisë dhe arrestimeve, akt gjyqësor të anëtarëve të familjes Malaj, shkrime të gazetave (Politika dhe Mlladina etj.), kartolina të dërguara nga burgu nga Rexhep Malaj dhe Naim Malaj, fotot e disa prej librave të botuara për Rexhep Malaj, foto të rrobave të Rexhep Malajt që i mbante në çastin e vrasjes, foto të bibliotekës së Rexhep Malaj dhe foto e dokumente tjera të ndryshme.